MJAFT! para Frattinit: NO al RAZZISMO!
27 TETOR 2008
Lëvizja MJAFT! reagoi sot kundër vendimeve të fundit diskriminuese të qeverisë italiane, për të ndarë që në shkolla fëmijët italianë nga ata emigrantë, si dhe kundër nismave të tjera në Itali që të ngjajnë, në fakt, më shumë me reforma raciste.
Gjatë kohës kur ministri i Jashtëm i Italisë z. Franco Frattini po hynte me kortezhin e tij brenda Kryeministrisë në bulevardin historik për Tiranën, aktivistët e Lëvizjes MJAFT! nxorrën një banderolë ku shkruhej në italisht “NO al RAZZISMO” (Jo Racizmit). Ajo nuk ngeli pa u vënë re nga përfaqësues të delegacionit Italian dhe nga fotoreporterë të ndryshëm, mes të cilëve edhe një i nje agjencie prestigjoze te huaj.
Gjatë kësaj kohe një makinë fuoristradë e MJAFT! shpërndante me altoparlantë tingujt e “Giovinezza”, himnit të rinisë fashiste që u kompozua nga avokati dhe kompozitori Giuseppe Blanc në vitin 1909 e që u përdor nga rregjimi fashist deri në Luftën e Dytë Botërore. Ky detaj u vu re ne ate moment edhe nga disa kalimtare te rastesishem italiane.
Ishte kjo forma e zgjedhur nga aktivistët shqiptarë për të ironizuar dhe kundërshtuar vendime të tilla diskriminuese, që rëndojnë edhe mbi jetët e mbi 400 mijë shqiptarëve në Itali.
Elisa Spiropali (MJAFT!) tha se, “ne mirëpresim takimet dypalëshe me fqinjët tanë italianë, por nuk mund të qëndrojmë të heshtur ndaj politikave të tilla diskriminuese të qeverisë Berlusconi ku bën pjesë dhe zoti Frattini, si : ndarja e shkollave për italianët e emigrantët, marrja e shenjave të gishtërinjve fëmijëve të emigrantëve apo dhe ndaj nismave të tjera që kanë sjellë një klimë dhe frymë raciste në Itali, që kundërshtohet fuqishëm dhe nga opozita e atij vendi”.
Janë mbi 400 mijë shqiptarë emigrantë në Itali që këto politika i prekin direkt në jetën e tyre.
“Zoti Basha dhe zoti Berisha e kanë për detyrë jo vetëm të takohen e pastaj të buzëqeshin përzemërsisht në këto takime, por së pari të lobojnë për kushtet e jetesës së qytetarëve shqiptarë në Itali”, nenvizoi Spiropali. “Nëse politikat italiane të kujtojnë reformat raciste, atëherë diplomacia shqiptare ka dyfish punë për të bërë, që të sigurojnë se politika të tilla nuk mund të kalojnë pa u kundërshtuar fuqishëm, shtoi ajo.
Fundjavën e kaluar disa qindra mijëra italianë u mblodhën në Romë për të protestuar jo vetëm ndaj planeve të qeverisë Berlusconi për të prerë fondet për universitetet publike por dhe ndaj nismës për të ndarë nëpër shkolla të ndryshme fëmijët italianë nga fëmijët e emigrantëve (derisa këta të fundit të mësojnë mirë gjuhën italiane). Turma e madhe e njerëzve e mbështetur nga opozita e majtë e Valter Veltronit protestoi edhe ndaj nismës për marrjen e gjurmëve të gishtërinjve çdo fëmije rom. Opozita i quajti këto nisma si vendime raciste, pasojat e së cilës do t’i ndjejë e gjithë shoqëria italiane.
Qeveria shqiptare nuk ka shprehur nderkohe asnjë koment për këto nisma që do të bien dhe në kurrizin e të gjithë emigrantëve shqiptarë në Itali, ndërkohë që vende të ndryshme, si për shembull Rumania po lobojnë fuqishëm ndaj çdo nisme të tillë që diskriminon qytetarët e tyre.
Kjo e sotmja nuk ishte e para protestë që Lëvizja rinore MJAFT!, e themeluar në mars të vitit 2003, organizon kundër racizmit që rëndon në kurriz të shqiptarëve edhe në vende të tjera, si për shembull në Greqi, Britaninë e Madhe, etj.
ZYRA E SHTYPIT E LEVIZJES MJAFT!
|