Bashkimi familjar: Vendim i ri për kufirin e të ardhurave vjetore

Ka reaguar Ministria e Brendshme Greke pas ankesave që janë bërë nga emigrantët, lidhur me kufirin minimal të të ardhurave vjetore. Ndonëse me vonesë drejtuesit e saj kanë vendosur të rishikojnë edhe një herë vendimin e nxjerrë në fillim të muajit prill, i cili ka vënë në rrezik fillimin apo edhe vazhdimësinë e procesit të bashkimit familjar.
Duke dashur të zbatojnë gjithçka thuhet në ligjin më të fundit për emigracionin, për sigurimin e të ardhurave të mjaftueshme nga personi që merr përsipër procedurën e bashkimit familjar, vendimi ndërministror i botuar më 3 prill 2006 në Fletoren Zyrtare, rezultoi tepër i ashpër në praktikë. Një pjesë e mirë e familjeve emigrante, të cilat prej vitesh tashmë jetonin në legjitimitet, u vunë dhe po vihen në rrezik të vazhdimësisë së jetesës së tyre këtu në Greqi.

i ardhurave vjetore, të deklaruara në deklaratën tatimore të këtij viti, për bashkimin familjar me bashkëshorten, duhet të ishte rreth 10 mijë e 500 euro, shifër kjo e paarritshme për mjaft nga emigrantët. Kufiri i të ardhurave zmadhohej akoma më tepër nëse bashkëshortja apo fëmijët silleshin nga Shqipëria.

Ndërkohë edhe ata emigrantë që kishin patur mundësi të deklaronin një kufi të tillë, nuk patën kohë ta realizonin atë. U gjetën pothuasje të papërgatitur. Askush nuk i paralajmëroi për atë që i priste më vonë. Sepse momenti gjatë të cilit u publikua vendimi në Fletoren Zyrtare ishin thuajse vetëm “5 minuta” përpara fillimit të procedurës së dorëzimit të deklaratave tatimore, më 3 prill 2006. Dhe më e keqja ishte se këto para duhej të ishin siguruar gjatë vitit 2005...

Në këto kushte, zyrat e pritjes së emigrantëve nëpër bashki apo komuna, duke patur një vendim zyrtar në dorë, të detajuar, specifik për të ardhurat vjetore, dhe jo një ligj me nene në vija të trasha, janë detyruar ta zbatojnë pikë për pikë atë. E gjithë kjo ka shkaktuar probleme tek emigrantët e shumtë, të cilët janë ndeshur tashmë edhe me një barrierë të re, të paparashikuar.

Presionet që ata kanë ushtruar në zyrat e bashkive apo komunave kanë detyruar ose më saktë bindur drejtuesit e tyre që të bëjnë një sy qorr ndaj vendimit të pesë ministrive dhe të pranojnë kërkesat për rinovimin e lejeve të qëndrimit për bashkim familjar. Drejtuesit e kanë parë si më të logjikshme që për fatin e këtyre kërkesave të vendosë vetë organi kopetent për dhënien e lejeve të qëndrimit, që është Periferia e zonës, departamenti i të Huajve dhe Emigracionit i cili është në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Si rrjedhim, pasi mali i këtyre kërkesave ka dalë deri në çati të ndërtesave të Periferive, çështja është përcjellë në vendin e duhur, duke vënë në lëvizje, kësaj radhe, vetë drejtuesit e Ministrisë së Brendshme.

Burime nga kjo ministri pohojnë se duke patur parasysh një nga qëllimet bazë që ka ligji më i fundit për emigracionin, forcimin e themeleve të institucionit të familjes, të lidhjeve të emigrantit me pjesëtarët e familjes së tij, ditët e fundit është shqyrtuar mundësia e nxjerrjes së një vendimi të ri, i cili do të përqëndrohet në tre pika kryesore:

-Mosmarrja parasysh, të paktën për këtë vit (2006-ën), e vendimit të muajit prill, lidhur me kufirin minimal të të ardhurave vjetore që duhet të paraqesë shtetasi i huaj i vendit të tretë për rinovimin e lejes së qëndrimit për bashkim familjar.

-Ndryshimi, në ulje, i kufirit minimal të të ardhurave për procedurën e bashkimit familjar. Në këtë pikë vlen të theksohet se nuk do të ketë ulje nën 8.500 euro, që është edhe kufiri minimal i të ardhurave mbi bazën e të ardhurave vjetore të punëtorit të pakualifikuar në Greqi.

-Kategorizimi i të ardhurave. Këtu është menduar të krijohen dy kategori të veçanta të ardhurash, në bazë të statusit që gëzon emigranti. Nëse ky i fundit jeton, të paktën, që prej vitit 2001 në Greqi në mënyrë të ligjshme, do të ketë tolerancë të madhe në vendosjen e kufirit minimal të të ardhurave vjetore, me qëllim që të mos dëmtohet dhe të vihet në vështirësi bërthama familjare që ai ka krijuar në emigracion.

Më i rreptë, dhe në të njëjtën kohë më i lartë, do të jetë niveli i të ardhurave vjetore për emigrantët që tani aplikojnë për të sjellë familjet nga vendlindjet e tyre në Greqi. Madje, kufiri minimal për këtë kategori të fundit, ka shumë mundësi që të jetë në atë nivel që është sot në bazë të vendimit të muajit prill (pra rreth 10.500 euro etj.)

Gjithësesi, aktualisht vendimi nuk ka marrë ende formë ligjore. E gjithë kjo, sikurse na sqaruan në Ministrinë e Brendshme, për shkak të konsultimeve të domosdoshme që duhet të zhvillojnë ekspertët e kësaj ministrie me ata të ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, të ministrisë së Jashtme, Arsimit Kombëtar dhe Feve, Punësimit dhe Mbrojtjes Sociale. Kjo, meqenëse edhe vendimi i mëparshëm, i muajit prill ishte një vendim i përbashkët i këtyre 5 ministrive. Padyshim, sikurse na premtuan, kur ai të jetë gati, do të shohë edhe dritën e botimit, që ne shpresojmë të jetë sa më e afërt...

Sonila Laci

Ja sa të ardhura kërkohen aktualisht për bashkimin familjar!

Fletorja Zyrtare Nr. 398, datë 3 prill 2006


Vendim i Ministrave të Brendshëm, Pushtetit Lokal dhe Decentralizimit, Ekonomisë dhe Financave, të Jashtëm, Arsimit Kombëtar dhe Feve, Punësimit dhe Mbrojtjes Sociale.
 
A.Përcaktohet madhësia dhe mënyra e dëshmimit të burimeve të mjaftueshme, që parashikohen si kusht në dispozitatat e ligjit 3386/2005, për kategoritë e veçanta si mëposhtë:
.....
5.
Në rastin kur shtetasit e vendeve të treta që kërkojnë hyrjen dhe qëndrimin në vendin e pjesëtarëve të familjes së tyre për bashkim familjar, në bazë të nenit 53 të ligjit 3386/2005, kërkohet të dëshmojnë se disponojnë të ardhura personale mujore të qëndrueshme dhe të vazhdueshme, të mjaftueshme për nevojat e familjes së tyre, e cila nuk buron nga sistemi i asistencës sociale të Vendit. Kjo e ardhur mujore nuk mund të jetë më e vogël se shuma e tetë mijë e pesëqind (8.500) eurove, plus rreth 20% për bashkëshorten dhe rreth 15% për çdo fëmijë. Në rastin kur të dy bashkëshortët qëndrojnë, ligjërisht, në Vend, përderisa bëhet fjalë për bashkimin e fëmijëve të tyre, nuk do të kërkohet shtesa e mësipërme, prej 15%, për çdo fëmijë. Madhësia e të ardhurës së kërkuar dëshmohet nga përgjigja e deklaratës tatimore e zyrës së taks-tatimeve ose deklarata tatimore. Gjatë rinovimit të lejes së qëndrimit, kur mbajtësi nuk ka burime të mjaftueshme që nuk burojnë nga sistemi i asistencës sociale të Vendit, sikurse përmendet më sipër, merren parasysh kontributet e pjesëtarëve të familjes në të ardhurën e përgjithshme të saj. 

Ligji 3386/2005

Neni 53

Kushtet për bashkimin familjar


Shtetasi i vendit të tretë që banon ligjërisht në Greqi për të paktën dy vjet ka të drejtë të kërkojë hyrjen dhe qëndrimin në vend të pjesëtarëve të familjes së tij, përderisa pëmbushen, të gjitha, kushtet e mëposhtme.

a. Dëshmon ekzistencën e marrëdhënies familjare

b. Pjesëtarët e familjes së tij bëhet fjalë të banojnë sëbashku me të.

c. Dëshmon se disponon të ardhura vjetore personale të qëndrueshme dhe të vazhdueshme, të mjaftueshme për nevojat e familjes së tij, të cilat nuk vijnë nga sistemi i asistencës sociale të Vendit. Kjo e ardhur nuk duhet të jetë më pak se të ardhurat vjetore të punëtorit të pakualifikuar, plus rreth 20% për bashkëshorten dhe rreth 15% për çdo fëmijë. Në rastin kur të dy bashkëshortët qëndrojnë, ligjërisht, në Vend, përderisa bëhet fjalë për bashkimin e fëmijëve të tyre, nuk do të kërkohet shtesa e mësipërme, prej 15%, për çdo fëmijë.

ç. Disponon sigurim të plotë shëndetësor për të gjitha rreziqet që mbulohen për vendasit, i cili të mund të mbulojë edhe pjesëtarët e familjes së tij.

Gazeta e Athinës  385 25-08-2006

 


FAQJA KRYESORE · ARTICUJ · AKTIVITETE · FOTOGRAFI · VIDEO · CILËT JEMI? · UNKS