LEJET 5-VJEÇARE: Kur fillon PROCEDURA?
U miratua me vështirësi dhe vonesa të theksuara në kohë. Dhe po kështu, do të fillojë edhe zbatimin në praktikë. Statusi i banorit me afat të gjatë qëndrimi, që në thelb përbën një risi të ligjit të ri për emigracionin, do të vonojë të jepet.
Lajmin e ka konfirmuar ekskluzivisht për “Gazetën e Athinës” vetë ministri i Brendshëm profesor Prokopis Pavlopulos.
Sipas tij të paktën për dy muajt e ardhshëm dekreti presidencial i lejeve afatgjata nuk do të mund të fillojë të zbatohet në praktikë. Megjithëse publikimi në Fletoren Zyrtare i jep të drejtë të menjëhershme zbatimit, “ngrirja” e dekretit vjen si pasojë e mospërgatitjes në kohë të të gjitha hallkave të mekanizmit shtetëror që kanë lidhje me procedurën e dhënies së statusit të banorit e afat të gjatë qëndrimi.
Me pak fjalë, ende ministria e brendshme dhe as ajo e Arsimit nuk kanë vendosur të publikojnë qarkoren me hollëzimet përkatëse, ashtu sikurse nuk kanë ngritur ende grupet arsimore që do të merren me mësimin dhe kontrollimin e njohurive të gjuhës, historisë dhe kulturës greke.
Statusi i banorit me afat të gjatë qëndrimi, praktikimi i të cilit e bën Greqinë të jetë një ndër pesë shtetet e para dhe të vetme në Bashkimin Europian që e vë në zbatim atë, vonon të jepet për arsye, thjesht burokratike. Normalisht duhet të kishte filluar që në janar të këtij viti, kur hyri në fuqi edhe pjesa e mbetur (dhe më e madhe) e neneve të ligjit për emigracionin. U vonua në hartimin e dekretit presidencial, u vonua në kalimin për miratim në parlament, e natyrisht, vonohet të zbatohet.
Gjithësesi ministri i brendshëm është optimist dhe i kënaqur me hartimin e një kuadri të tillë ligjor i cili do t’u japë shtetasve të huaj të drejta gati të barabarta me vendasit.
Duket se dhe atë e preokupon momenti i fillimit të zbatimit të procedurës së lejeve afatgjata dhe ndjehet paksa jo fort rehat ndërsa e ngacmojmë për një temë të tillë. Por megjithatë, gjithnjë i gatshëm dhe i hapur me të gjithë, z. Prokopis Pavlopulos bën parashikimin e tij lidhur me fillimin e procedurës, duke deklaruar:
“Sikurse e dini tani së fundi u miratua dekreti presidencial për dhënien e lejeve afatgjata. Aktualisht po punojmë për realizimin e fazës pergatitore, e nevojshme për këtë procedurë. Besojmë se të gjitha hallkat shtetërore, të cilat janë të lidhura me procedurën e dhënies së statusit të banorit me afat të gjatë, do të jenë gati në fund të muajit tetor. Atëherë do të fillojë edhe zbatimi praktik i dekretit presidencial për dhënien e statusit të banorit me afat të gjatë qëndrimi”.
Kjo do të thotë se të gjithë emigrantët të cilëve u skadon leja e qëndrimit të paktën deri në janar të 2007 dhe do t’ju duhet t’i nënshtrohen kurseve të gjuhës, nuk do të kenë mundësi të aplikojnë për leje afatgjatë. Ata do të jenë të detyruar të kërkojnë edhe një herë dhënien e lejeve 2-vjeçare. Në fund të tetorit apo fillim të nëntorit do të kenë mundësi të aplikojnë vetëm ata që tashmë disponojnë vërtetimin e nevojshëm të gjuhës, historisë dhe kulturës si dhe natyrisht përmbushin kushtet e tjera të parashikuara për dhënien e lejeve afatgjatë.
Një kujtesë
Kushtet kryesore të dhënies së lejeve afatgjatë
-Kusht kryesor për dhënien e statusit të banorit me afat të gjatë, përbën qëndrimi i mëparshëm 5-vjeçar në Greqi, i cili duhet të jetë së pari i ligjshëm dhe pandërprerje. Ndërkaq, parashikohen periudhe mungese (boshllëku) në qëndrim, përderisa janë më të vogla se 6 muaj në vazhdimësi dhe nuk i kapërcejnë gjithësej të 12 muajt brenda një 5-vjeçari.
-Me qëllim që shtetasi i vendit të tretë të ushtrojë të drejtën e tij për përfshirjen në statusin e banorit me afat të gjatë, duhet të ketë mbushur moshën 18-vjeçare. Statusi i banorit me afat të gjatë ngrihet mbi bazë personale, përderisa ka karakter personal.
-Përveç periudhës së ndërprerjes së lejuar, shtetasi i vendit të tretë, në bazë edhe të dispozitave të Udhëzimit Komunitar, do të duhet të jetë në gjendje t’u përgjigjet nevojave të mbijetesës së tij dhe të personave që ka në ngarkim në familje; të ketë siguracion të plotë shëndetësor, banesë të përshtatshme dhe të disponojë njohuri të mjaftueshme të gjuhës, kulturës dhe historisë greke.
-Nga mundësia e përfshirjes në statusin e banorit me afat të gjatë përjashtohen shtetasit e vendeve të treta, qëllimi i qëndrimit i të cilëve nuk është i gjatë. Më konkretisht, përjashtohen kategoritë e personave që kanë leje qëndrimi për studime, për marrjen e specialitetit mjekësor, edukim profesional, si dhe mbajtësit e lejeve të qëndrimit të cilat për nga natyra e tyre kanë karakter të përkohshëm.
-Vlen të theksohet se pas dorëzimit të kërkesës nga ana e shtetasit të vendit të tretë, organi kompetent lëshon vendimin përkatës brenda 6 muajve nga dita e dorëzimit të kërkesës, pasi shqyrton nëse përmbushen kushtet dhe duke patur parasysh mendimin e autoritetit policor lidhur me çështje që kanë të bëjnë me rendin dhe sigurinë publike.
Leja e qëndrimit me afat të gjatë rinovohet, pas kërkesës përkatëse, për 5 vjet për çdo herë. Nuk do të kërkohet paraqitja e dokumentave të reja dhe nuk do të paguhet taksë e re legalizimi.
-Organ kopetent për rinovimin e lejes së qëndrimit të banorit me afat të gjatë është Shërbimi i të Huajve i Periferisë që funksionin në zonën e vendbanimit të personit të interesuar.
-Shtetasit me afat të gjatë qëndrimi gëzojnë trajtim të barabartë me vendasit përsa i përket hyrjes në aktivitetet me ose jo me pagë, në arsim dhe në edukimin profesional, në njohjen e diplomave profesionale, në sigurimin social dhe avantazhet themelore të mbështetjes dhe mbrojtjes sociale, lehtësirat tatimore, përfitimin e të mirave dhe nga shërbime që janë në dispozicion të publikut, lirinë e bashkëpunimit dhe të regjistrimit e pjesëmarrjes në organizata të punëtorëve dhe të punëdhënësve, lirinë e lëvizjes dhe të vendosjes në të gjithë territorin e vendit.
-Ministria e Brendshme, Pushtetit Lokal dhe Decentralizimit si dhe organet kopetente për dorëzimin dhe shqyrtimin e kërkesës përkatëse, si dhe për dhënien e lejes së qëndrimit të banorit me afat të gjatë informojnë të interesuarit, në lidhje me kushtet dhe procedurën e marrjes së statusit të banorit me afat të gjatë si dhe për të drejtat e detyrimet që rrjedhin prej tij. Informimi realizohet kryesisht përmes broshurave informative, publikimi të materialit kompjuterik në faqet e internetit të organeve të mësipërme ose me çdo lloj forme tjetër të sotme. Ky material rifreskohet në periudha kohore të vazhdueshme.
-Organi kopetent, pasi merr parasysh mendimin e organeve policore, lëshon vendimin përkatës, jo më vonë se gjashtë (6) muaj nga dita e dorëzimit të kërkesës me të gjitha dokumentat e kërkuara. Afati i mësipërm mund të shtyhet edhe për tre muaj (3) të tjerë dhe vetëm përderisa ekzistojnë në mënyrë të justifikuar kushte të veçanta.
-Në rast të vendimit pozitiv, i jepet shtetasit të vendit të tretë leja e qëndrimit e tipit unik në përputhje me Rregulloren (KE) me nr.1030/2002 të Këshillit të 13 Korrikut 2002 për sanksionimin e lejeve të qëndrimit të tipit unik për shtetasit e vendeve të treta, sikurse vlen. Në titullin “lloji i lejes” shkruhet “me afat të gjatë-EK”.
-Statusi i banorit me afat të gjatë është i përhershëm.
Sonila Laci,Gazeta e Athinës 387 08-09-2006 |