Racizmi politik i reformës së sigurimeve

Nga Jakup B. Gjoça



Në Parlamentin grek të premten u diskutua në nivel kryetarësh të partive parlamentare reforma e sistemit të sigurimeve shoqërore.

Kryeministri grek Kostas Karamanlis parashtroi programin politik qeveritar për reformën e këtij sistemi.

Dilema politike që justifikoi kryeministri grek reformën (politike) e sigurimeve shoqërore, është se në një të ardhme të afërt ( pa përcaktuar vite ) me siguri matematike ky sistem do të ... falementojë.

Dhe në reformat politike që kërkon të miratohen në parlament, kryeministri, (pavarësisht nga fasada e demagogjisë politike) ka edhe axhendën e fshehtë. Që të rritë moshën e daljes në pension, nga 65 vjeç për burrat që është sot në 67 vjeç. Kërkon që edhe gratë (sipas një udhëzimi të Bashkimit Evropian) të dalin në të njëjtën moshë me burrat.

Karamanlis, që të mbijetojë sistemi i sigurimeve shoqërore shtetërore në Greqi kërkon që të bashkojë në një të gjitha sektorët e sigurimeve shoqërore shtetërore. Karamanlis kërkon që të kalojë reforma politike e qeverisë të tij, që të rriten edhe pjesa e kontributit që paguan i siguruari (punëtorët) në buxhetin e sigurimeve shoqërore shtetërore.

Dhe, njëkohësisht me këtë, si reformë politike, do të kalojë që të zvogëlohet edhe shpërblimi i pensionistëve.

Reforma politike e kryeministrit grek për sigurimet shoqërore shtetërore nuk përmend fare mundësi të tjera që shteti duhet të mbështetë këto sigurime. Si të luftojë tregun e zi të punës, të përmirësojë kushtet e punës, marrëdhëniet punëtorë- pronarë, si edhe luftën që duhet të bëjë (nëqoftëse duhet?!) shteti kundër mospagimit të taksave, etj.

Të mërkurën, më 13 shkurt 2008, gjithë Greqia u paralizua nga Greva e Përgjithshme e sindikatave greke që kundërshtojnë me forcë të gjitha këto reforma antipunëtore të qeverisë të Karamanlis.

Qevria e Karamanlis, për propagandë (boshe) përdori edhe trukun politik të dialogut masiv për këto reforma në sigurimet shoqërore shtetërore. Mirëpo, në këtë dialog, qeveria e nuk paraqiti asnjë projekt-reforme. Thjesht, bëri sikur ... dëgjoi.

Dhe, ndërsa të premten, 15 shkurt 2008, Karamanlis paraqiste në parlament reformën e tij politike për sigurimin shoqëror stetëror, në të gjithë rrugët qëndrore të Athinës që të çonin drejt Parlamentit, sindikatat greke sërish demonstronin “JO”-në.

E vërteta është se sigurimi shoqëror grek ndodhet në prag të Falimentimit. Sepse në Greqi raporti fuqi punëtore dhe pensionist është 1,75 : 1. Pra më pak se dy punëtorë të fuqisë aktive kujdesen për 1 pensionist. Buxheti shtetëror financon çdo vit këto sigurime shoqërore shtetërore me 14, 6 miliardë euro.

Ndërkohë kur në Greqi, vetëm emigrantët e padokumentë (jo të paligjshëm) që punojnë në tregun e zi të punës janë aktualisht mbi 400.000 vetë.

Ky ëshgtë realiteti, që e zhvesh politikën greke.Që mbi 400.000 emigrantë ekonomikë punojnë në tregun e zi të punës në Greqi. Kur, ndërkohë sigurimi shoqëror shtetëror grek ndodhet në pragun e falimentimit. Plus këtu, edhe qindra mijëra punëtorë grekë, që edhe këta punojnë në tregun e zi të punës. Atëhere, a mund të ketë politikë me këtë treg të zi të punës? A mund të ketë reformë paralelisht me mbi 1 milionë punëtorë që punojnë pa asnjë sigurim shoqëror në Greqi?

Kryeministri grek nuk foli asnjë fjalë, nuk përmendi asnjë herë emigrantët ekonomikë që në këto 17 vjet kontribojnë dhe falë këtij kontributi mbijeton deri sot sigurimi shoqëror shtetëror në Greqi. Mospërmendja nga ana e tij e kontributit të emigrantëve ekonomikë në mbijetesën e sigurimeve shoqërore shtetërore është shpërfillja politike dhe racizmi politik i kryeministrit grek. Është edhe mosdëshira për një politikë të Emigracionit që të synojë integrimin e emigrantëve në shoqërinë greke.

Pikërisht, integrimi i emigrantëve në shoqërinë vendase është në rradhë të parë domosdoshmëri jetike për vetë shoqërinë greke. Sepse, po qe se shteti grek do të kishte Politikë të Emigracionit që të integrojë emigrantët, ata që punojnë, pa përjashtim, të padokumentë dhe ata që kanë dokumente, edhe shteti grek nuk do të financojë çdo vit 14,6 miliardë evro si ASPIRINË për të mbijetuar sistemi i sigurimeve shoqërore shtetërore në Greqi.

Po qe se qeveria e Karamanlis ka Politikë të Emigracinit që të synojë integrimin e emigrantëve në shoqërinë greke, edhe raporti fuqi punëtore aktive me pensionistët nuk do të jetë 1, 75 me 1, por 3 e 4 me 1.

Emigrantët në Greqi, këta që janë mbi 400.000 vetë e që punojnë në tregun e zi janë realitet. Këta emigrantë janë në Greqi. Punojnë. Do apo nuk do politika e Karamanlis. Dhe nuk janë në kufijtë përreth Greqisë, që qeveria trembet t’u japë ... vizë.

Duke mos u dhënë mundësinë ligjore këtyre mbi 400.000 emigrantëve që punojnë në tregun e zi të punës, pa asnjë kontribut në sistemin e sigurimeve shoqërore shtetërore, politikisht je kundër çdo reforme politike që të synojë edhe mbijetesën e sigurimeve shoqërore shtetëore.

Pra, Karamanlis, duke injoruar realitetin e punësimit të mbi 400.000 emigrantëve në tregun e zi të punës, politikisht nuk do që të mbijetojë edhe sistemi i sigurimeve shoqërore shtetërore në Greqi.

Përkundrazi. Kontraksi i zi i Politikës të Emigracionit të qeverisë numër 2 të Karamanlis, në fakt është edhe politika e Emigracionit e ashtuquajtura “Programi ESTIA”, që shpalli para 2 muajsh ministri i brendshëm grek zoti Pavlopullos. Program që do të zgjatë deri në vitin 2013 (për ata emigrantë që do të ... mbijetojnë) dhe me karakteristikë themelore që do të financohet me 20 milionë euro. Pra deri në vitin 2013 qeveria e Karamanlis nuk ka Politikë të Emigracionit. Që të ligjësojë emigrantët, që të luftojë shteti tregun e zi të punës, që emigrantët të kontribojnë me punën e ligjshme në sistemin e sigurimeve shoqërore shtetërore.

Përkundrazi. Shteti i Politikës të Karamanlis do të financojë disa që do të organizojnë seminare, konferenca, që do të mbajnë fjalime për emigrantët (thua se do t’u lexojnë fjalimin e ... homazhit) me 20 milionë evro.

Përkundrazi, me këtë politikë të zezë qeveritare të Emigracionit, kryetari i PASOK-ut, Jorgos Papandreu në parlament, kritikoi reformat antipunëtore të Karamanlis dhe vlerësoi edhe kontributin e emigrantëve ekonomikë në Greqi.

Ja edhe referimi i Papandreut “Marrim përsipër përgjegjësinë politike që bashkuam (qeveria e PASOK-ut) në sistemin e sigurimeve shoqërore shtetërore qindra mijëra emigrantë. E drejta e tyre- shpëtimi për sigurimet shoqërore shtetërore të Greqisë”.

E Hene, 25 Shkurt 2008

 

FAQJA KRYESORE · ARTICUJ · AKTIVITETE · FOTOGRAFI · VIDEO · CILËT JEMI? · UNKS