| |
18/12/2007
(dita ndërkombëtare e emigrantit)
Ne nuk festojmë, kërkojmë të drejtat!
- Gjëndja në të cilën jetojmë ne emigrantët nuk ka ndryshuar aspak për mirë që nga koha e ardhjes tonë në Greqi. Vonesat e vazhdueshme në dhënien e Lejave të Qëndrimit, gjëndja e pengmbajtjes nga shteti grek, është dhe ka për të mbetur problemi ynë kryesor. Nuk mundemi të ndjehemi të lirë nëse nuk kemi as të drejtat më elementare. Kërkojmë Leja Qëndrimi për të gjithë, pa vënë si kusht sigurimet dhe pagesat në Bashkitë ku dorëzohen dokumentat.
- Fëmijët tanë të cilët lindin në Greqi, mbajnë mbi supet e tyre peshën e dallimeve rracore që prej ditës së parë të jetës. Për shtetin ku jetojmë fëmijët tanë konsiderohen si Fëmijë Fantazma. Sapo mbushin moshën 18 vjeç, në mënyrë automatike bëhen Emigrantë në vëndin e lindjes së tyre. Kërkojmë në mënyrë kategorike shkrimin e fëmijve në listat e Bashkive ashtu si çdo fëmijë që lind në këtë vënd, pa pasur dallim.
- Vitet e fundit dhënia e Azilit Politik për të përndjekurit politikë që jetojnë në Greqi është kthyer në luks, përqindja e pranimit të kërkesave të tyre nuk i kalon të 0,2% (azil politik dhe leja qëndrimi për arsye njerzore). Kërkojmë azil politik për të gjithë të përndjekurit.
Një luftë e padeklaruar në kufijtë e Evropës!
- Gjatë 2007-ës mbi 180 emigrantë humbën jetën duke u përpjekur të kalojnë ujrat e detit Egje, dhjetë herë më shumë se në 2006 -ën ku numri i të vdekurve ishte vetëm 19. Në kufijtë e Bashkimit Evropian kanë humbur jetën rreth 1500 vetë që prej fillimit të 2007-ës!
- Këto vdekje nuk janë aksidentale, këto janë vrasje me dashje. Në 50-të vjetorin e krijimit të B.E (25/3/2007) u fol për luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe emigracionit. Më 27/3/2007 gjatë përurimit të FRONTEX (policia e re Evropiane për ruajtjen e kufijve), u deklarua krijimi i vizave Biometrike, me qëllimim kontrollin sa më të ashpër ndaj emigrantëve. Gjithashtu dhe vënia në funksionim e radarëve të rinj dhe satelitëve për të mos lejuar në asnjë mënyrë kalimin e kufijve detarë dhe tokësorë. Policia kufitare FRONTEX zotëron 21 aeroplanë, 27 helikopterë dhe 116 anije luftarake.
- Në Shtator të 2007-ës i ashtuquajturi Komision i Mbrojtjes të Drejtave Personale i B.E prezantoi një udhëzim të ri i cili do të dërgohet për tu votuar në Parlamentin Evropian gjatë vitit të ardhshëm, i cili parashikon burgimin deri në 18 muaj të emigrantëve të paligjshëm (me qëllim kthimin mbrapsht të tyre) si dhe pamundësinë për të kaluar kufijtë e Evropës për 5 vjet të tjera.
GRUPI I EMIGRANTËVE EKONOMIKË DHE POLITIKË
|